Sorensen thotë se po bëhen përgatitje për një takim të nivelit të lartë

Emisari evropian për dialogun, Peter Sorensen, tha se po bën përgatitje për organizimin e një takimi të nivelit të lartë në dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai tha se gjatë takimit në Bruksel me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, të zhvilluar më 10 qershor, ka diskutuar për normalizimin e raporteve mes dy vendeve dhe janë pajtuar që diskutimet të vazhdojnë së shpejti.

“Isha mikpritës i një takimi të gjatë në Bruksel mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë. Diskutuam lidhur me avancimin e normalizimit të raporteve të tyre në përgatitje të një takimi të nivelit të lartë të dialogut, për zbatimin e obligimeve dhe çështjet aktuale. U pajtuam që së shpejti të vazhdojmë diskutimin”, shkroi ai në X.

Që nga marrja e mandatit si ndërmjetës, Sorensen të martën ishte mikpritës i takimit të parë mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq.

Ndërkaq, Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar takim të nivelit të lartë, në kuadër të dialogut, që nga shtatori i vitit 2023.

Bislimi: Sorensen ka vizion të qartë se si të ecet përpara

Pas rundit të dialogut në Bruksel, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se ndërmjetësi i ri i dialogut, Sorensen, ka një vizion të qartë se si të ecet përpara në takimet e radhës.

“Në rezultate konkrete, është ende herët. Sorenseni e ka pak a shume një vizion të qartë se si të ecet në takimet e radhës. Javën tjetër do të dërgojë dy nga më të afërtit e tij në Kosovë e Serbi për të marrë informata shtesë dhe më pas në fillim të korrikut do të vendosë për hapin e radhës. Sorenseni do edhe një takim në korrik. Kjo tregon për mua që ai ka investim të madh në proces, ka dëshirë të shohë rezultat, por deri tash dihet se Serbia ka sabotuar procesin”, tha ai.

Bislimi tha se gjatë 10 qershorit në Bruksel janë zhvilluar një sërë takimesh. Ai tregoi se fillimisht është mbajtur një takim trepalësh. Më pas, kryenegociatori kosovar ka zhvilluar edhe takim dypalësh me emisarin evropian.

“Ideja ka qenë që të kemi tri tema të ndryshme në takimet e sotme. Në fillim, jemi dakorduar për principet se si do të udhëhiqen takime trepalëshe me Sorensenin. Jemi dakorduar me të gjitha propozimet e Sorensenit”, u shpreh Bislimi.

Ai tha se pjesa kryesore e takimit trepalësh u përqendrua në diskutimet se si të ecet përpara sa i përket zbatimit të Marrëveshjes Bazë, për të cilën Kosova dhe Serbia janë pajtuar më 2023.

Në këtë drejtim, Bislimi tha se janë paraqitur idetë e palëve dhe “nuk ka pasur dakordim të plotë” mes tyre.

“Na është thënë që në takimin e radhës t’i sjellim idetë në mënyrë të shkruar”, theksoi Bislimi.

Zëvendëskryeministri i Kosovës tha se gjatë takimit dypalësh me emisarin evropian ka diskutuar për disa tema.

“Personat e pagjetur për ne ka qenë tema më e rëndësishme, ku kemi treguar çfarë ka bërë Kosova këto muaj e çfarë nuk ka bërë Serbia. Kemi diskutuar edhe për transferet financiare te qytetarët e Luginës së Preshevës, dhe kemi garantuar se s’bëjmë shkelje. Diskutuam edhe për funksionalizimin e interkonjeksionit me Serbinë që po e rrit koston e transmisionit për energjinë jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin. Gjithashtu folëm edhe për menaxhimin e integruar të kufirit që ka ngecur faji i Serbisë dhe fushatën sistematike të dezinformatave nga ana e Serbisë”, deklaroi Bislimi.

Petkoviq insiston në formimin e Asociacionit

Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tha se në rundin e ri të dialogut Serbia ka insistuar në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe uljen e tensioneve që tha se janë hapat e parë drejt normalizimit të raporteve.

“Sa i përket uljes së tensioneve edhe një herë kam folur shumë qartë dhe prerë për terrorin e [kryeministrit në detyrë të Kosovës] Albin Kurtit ndaj popullit serb në Kosovë, veçanërisht në veri. Për gjithçka që ndodh çdo ditë. Kemi dorëzuar sërish listën me veprimet më të fundit që çojnë në përshkallëzim”, tha Petkoviq.

Ai tha se statuti për themelimin e Asociacionit duhet të bazohet në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, të arritura në kuadër të dialogut, duke shtuar se asociacioni duhet të duket në bazë të këtyre marrëveshjeve.

Një draft-statut i hartuar për këtë asociacion nga BE-ja nuk është dërguar ende në Gjykatën Kushtetuese për interpretim nga Qeveria në detyrë e Kosovës. Një veprim i tillë do të shënonte hapin e parë drejt krijimit të Asociacionit.

Krynegociatori serb foli edhe për rolin e Sorensenit si ndërmjetës i dialogut. Për dallim nga homologu kosovar që vlerësoi se emisari i ri ka vizion të qartë për dialogun, Petkoviq tha se nuk dëshiron ta gjykojë Sorensenin bazuar vetëm në takimin e parë trepalësh.

“Sorensen po përpiqet të ndihmojë, dhe kjo është edhe roli i tij në këto bisedime. Procesi është i yni dhe ne duhet të angazhohemi për të arritur përparim në dialog. Nga ana jonë ekziston një vullnet i qartë politik, por këtë po e presim prej kohësh nga ana e Prishtinës. Do të shohim, nuk do të doja të gjykoj Sorensenin bazuar vetëm në takimin e parë trepalësh. Le t’i japim një mundësi të tregojë veten dhe të shohim si do të duket rezultati nën ndërmjetësimin e tij”, theksoi ai.

Edhe Petkoviq tha se në Bruksel ka diskutuar për çështjen e personave të zhdukur, por edhe për tema të tjera, sikurse energjia.

“Nga ana jonë kemi konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e Grupit Punues në Gjenevë më 26 qershor, duke treguar kështu gatishmërinë e plotë për ta zgjidhur këtë çështje humanitare, e cila është me rëndësi për familjet e të zhdukurve”, theksoi ai.

Ai po ashtu tha se është rënë dakord që bisedimet në nivel kryenegociatorësh të vazhdojnë në fillim të korrikut.

Rundi i ri i dialogut u zhvillua pas takimeve dypalëshe që zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe kryenegociatori Petkoviq, zhvilluan me Sorensenin më 2 qershor në Bruksel.

Po ashtu, takimet vijnë pasi, sipas Bislimit, më 2 qershor kishte dështuar një takim i planifikuar trepalësh, për shkak se ekipi i Serbisë ishte përballur me vonesa gjatë shkuarjes në Bruksel.

Bislimi deklaroi se në takimin e tij me Sorensenin javën e kaluar në Bruksel bisedoi për qasjen që do të ketë zyrtari evropian në fazat e ardhshme të bisedimeve në nivel të kryenegociatorëve, si dhe ato të nivelit të lartë, nën drejtimin e kryediplomates së BE-së, Kaja Kallas.

“Diskutuam edhe për një proces shumë të rëndësishëm që e kemi – mbështetjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës përmes ndihmave për fermerët e vegjël”, tha Bislimi, sipas një komunikate për media të lëshuar nga zyra e tij.

Megjithatë, Petkoviq, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, tha se ia ka bërë të qartë Bashkimit Evropian se Presheva dhe Bujanoci nuk mund të jenë temë në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Presheva dhe Bujanoci janë çështje të Serbisë qendrore, të ligjeve dhe Kushtetutës sonë, dhe për këtë nuk mund të ketë asnjë lloj diskutimi në kuadër të dialogut – pavarësisht përpjekjeve të [kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin] Kurtit dhe [zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik] Bislimit për t’i futur këto tema”, tha ai pas takimit me Sorensenin javën e kaluar.

Ndërkohë, në përpjekje për të ringjallur dialogun mes dy vendeve, Kallas qëndroi në Prishtinë dhe Beograd muajin e kaluar, ku bëri thirrje për përmirësim të raporteve, sepse vetëm ashtu mund të ketë të ardhme evropiane për të dyja vendet.

Serbia gëzon statusin e vendit kandidat për anëtarësim në bllokun evropian, ndërsa Kosova jo, pavarësisht se ka aplikuar.

Dy vendet dialogojnë në Bruksel për normalizim të marrëdhënieve prej vitit 2011, me ndërmjetësim të BE-së, i kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.

I pyetur nga gazetarët nëse kanë kuptim këto takime, pasi tani Kosova është në “vakum institucional”, Bislimi i ka pranuar vështirësitë, ndonëse ka thënë se janë disa tema ku Kosova mund të përfitojë, nëse ka konstruktivitet apo qasje konstruktive nga ana e Serbisë.

“Nuk do të ishte në rregull nëse ne i humbim këto shanse për shkak se në Prishtinë ka pengesa në konstituimin e Kuvendit”, ka thënë mes tjerash ai.

Kosova është me Qeveri në detyrë, pasi më 9 qershor, Kuvendi ka dështuar të konstituohet për të 29-ën herë me radhë.

Lëvizja Vetëvendosje, që ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, dhe partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë, nuk kanë arritur pajtueshmëri për mënyrën e votimit për kreun e ri të Kuvendit, dhe për propozimin e LVV-së për këtë pozitë, Albulena Haxhiun, duke e konsideruar figurë përçarëse.

Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri.

Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re.

Përfaqësuesit diplomatikë të shteteve të QUINT-it (Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Italisë, Francës dhe Gjermanisë) si dhe Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, janë takuar ditë më parë me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, duke kërkuar formim të shpejtë të institucioneve për të siguruar mirëqenien dhe prosperitetin e qytetarëve të Kosovës.

Sponsored Links:

Buy jewellery in Albania and Kosovo : https://stolisem.com/

Find your love in Albania and Kosovo : https://dashuroj.com

Rent an apartment in Germany : https://mietenmeister.de

Buy designer clothes : https://durimkluna.com

Check Also

34 filma nga 20 vende të botës/ Dea Open Air, edicioni i 12-te i Festivalit Ndërkombëtar i Filmit

Edicioni i Dymbëdhjetë Në datat 9 deri më 13 Qershor 2025, Festivali Ndërkombëtar i Filmit …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *