
Edicioni i Dymbëdhjetë
Në datat 9 deri më 13 Qershor 2025, Festivali Ndërkombëtar i Filmit DEA OPEN AIR, do të zhvillojë edicionin e tij të dymbëdhjetë në kryeqytet!
Pas pesë vitesh të suksesshme në Sarandë, DEA vjen këtë vit për herë të shtatë edhe në Tiranë, për ta ndarë ofertën filmike dhe ekspertizën profesionale evropiane edhe me publikun, studentët dhe kineastët kryeqytetas!
DEA mbetet edhe këtë vit OPEN AIR.
Programi i mbrëmjes së konkurimit kryesor të festivalit, Filmit me Metrazh të Gjatë ofrohet në Kinema DEA OPEN AIR 1 – në Amfiteatrin e Universitetit të Arteve.
Në Kinema DEA OPEN AIR 1 – në Amfiteatrin e Universitetit të Arteve organizohet edhe Ceremonia zyrtare e Hapjes si edhe Mbrëmja Gala e Ndarjes së Çmimeve të Edicionit XII të DEA OPEN AIR International Filmfestival Tiranë – 2025.
Programi i pasdites i konkurimit kryesor të festivalit, Seksionit të Filmit me Metrazh të Gjatë si edhe programet e Filmit Dokumentar, Filmit të Shkurtër dhe Filmit Dokumentar do të ofrohen në Kinema DEA OPEN AIR 2 – Salla e Kinema AGIMI-t.

Të gjithë pjesëmarrësit kanë aplikuar në platformat Film Freeway dhe Festhome ose në rrugë të drejtpërdrejtë në adresën e Festivalit.
Aplikuesit vijnë jo vetëm nga vendet evropiane, por edhe më gjerë, duke i dhënë aplikimit – si në edicionet paraardhëse – gjeografi ndërkontinentale.
Filmat e paraqitur dhe autorët që marrin pjesë në konkurrim i janë nënshtruar fillimisht seleksionimit paraprak të komisioneve ndërkombëtare, të mbyllur në fund të muajit Mars.
Në garë për Çmimet DEA komisionet e përzgjedhjes paraprake kanë vendosur të përfshijnë në programin e sivjetëm gjithsej 34 filma nga 20 vende të botës, prej të cilëve 7 në Seksionin e Filmit me Metrazh të Gjatë ose konkurimin kryesor, 14 në Seksionin e Filmit të Shkurtër dhe 13 në Seksionin e Filmit Studentor.
Filmat konkurues në Seksionin e Filmit me Metrazh të Gjatë vijnë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Turqia, Italia, Polonia dhe Brazili ndërsa Filmat e Shkurtër nga Kosova, Bullgaria, Franca, Italia, Irani, Kanadaja, Turqia, Rusia, Uzbekistani, Spanja, Peruja dhe Britania e Madhe. Filmat studentorë të përzgjedhur për këtë edicion vijnë nga 8 vende të ndryshme: Shqipëria, Irani, Polonia, Koreja e Jugut, Spanja, Italia, Kili, Rusi. Shqipëria përfaqësohet me 4 filma studentorë, Spanja dhe Irani me nga 2 filma, ndërsa vendet e tjera me nga 1 film secili.
Në kuadër të edicionit të dymbëdhjetë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit DEA OPEN AIR, Akademia DEA organizon më datat 10–12 Qershor 2025 Takimin Rajonal të Shkollave të Filmit, një nismë që synon nxitjen e bashkëpunimit mes institucioneve akademike të fushës së kinemasë në rajonin e Ballkanit.
Pjesë e Akademisë sivjet do të jenë: Departamenti i Filmit dhe Televizionit – Universiteti i Arteve, Tiranë/Shqipëri; Departamenti i Regjisë së Filmit dhe Televizionit – Universiteti i Prishtinës, Fakulteti i Arteve Prishtinë/Kosovë dhe Departamenti i Filmit dhe Videove – Akademia e Arteve, pranë Universitetit të Splitit, Kroaci.
Gjatë tre ditëve të aktivitetit, do të ofrohet një program i posaçëm ditor (2–3 orë) me filma të studentëve të shkollave pjesëmarrëse, i cili do të shoqërohet me prezantime të ofertave akademike dhe kulturore të secilës shkollë.
Pjesë e rëndësishme e aktivitetit do të jenë edhe tryezat e rrumbullakëta që do të trajtojnë temat aktuale të zhvillimit të kinemasë në rajon, sfidat e formimit profesional të kineastëve të rinj, mundësitë e bashkëpunimeve të përbashkëta ndërinstitucionale si edhe një master klasë e regjisorit të njohur turk, Semih Kaplanoglu.
Edicioni i Dymbëdhjetë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit DEA OPEN AIR zhvillohet me mbështetjen e Bashkisë Tiranë, Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të Republikës së Shqipërisë dhe Universitetit të Arteve, të cilët krijojnë atmosferën e nevojshme mikpritëse për prurjet artistike dhe kontributet qytetare nga e gjithë bota.
Sponsored:
Buy jewellery in Albania and Kosovo : https://stolisem.com/
Find your love in Albania and Kosovo : https://dashuroj.com
Rent an apartment in Germany : https://mietenmeister.de
Buy designer clothes : https://durimkluna.com